SELMANI TAKOI MINISTRIN E JASHTËM TË SHQIPËRISË, ILIR META
[7/29/2010
- 12:48]
Në vazhdim mund të lexoni deklaratat për media që dhanë Kryetari i Demokracisë së Re, z. Imer Selmani dhe Zëvendeskryeministri dhe Ministër i Jashtëm i Shqipërisë, z. Ilir Meta, pas takimit të tyre të sotëm në selinë e Demokracisë së Re në Shkup.
z. IMER SELMANI, Kryetar i Demokracisë së Re: “Ishte kënaqësi e imja personale, por edhe e Demokracisë së Re që sot të kemi mysafir dhe të bashkëbisedojmë për tema shumë të rëndësishme me Zëvendës Kryeministrin e Shqipërisë dhe Ministër i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta. Ajo që definitivisht dakordohemi është se Ballkani ka prodhuar shumë histori dhe kufij mes shteteve, por ajo i takon të kaluarës. Detyra jonë, obligimi ynë si politikanë është të merremi sa më shumë me të ardhmen, të ndërtojmë sa më shumë ura të bashkëpunimit mes popujve dhe shteteve të Ballkanit. E vetmja alternativë dhe i vetmi binar i zhvillimit të Ballkanit është integrimi në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Shqiptarët si një popull shumë konstruktiv në Maqedoni janë duke vepruar në frymën e plotë të integrimit të vendit në strukturat euroatlantike. Marrëveshja e Ohrit gjithsesi se është një udhërrëfyes i stabilitetit dhe i ndërtimit të paqes dhe zhvillimit në rajon. Normalisht, bashkëpunimi mes dy shteteve, Shqipërisë dhe Maqedonisë, defitinitivisht duhet të jetë prioritet i çdo Qeverie, edhe asaj të Maqedonisë edhe asaj të Shqipërisë”
z. ILIR META, Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Jashtëm i Shqipërisë “Edhe për mua është një kënaqësi e veçantë të takohesha sot Kryetarin e Demokracisë së Re, z. Imer Selmani dhe të diskutonim për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, por njëkohësisht të ndajmë edhe mendime të përbashkëta për perspektivën jo vetëm të marrëdhënieve shumë të mira mes dy vendeve tona, por edhe për perspektivën evropiane. Dua të theksoj se është detyrë e politikanëve në gjithë rajonin tonë të përqëndrohen tek e ardhmja, te konkretizimi i të ardhmës së përbashkët evopiane. Ne kemi shumë debate mbi të shkuarën dhe historitë që i ndajnë popujt dhe vendet e Ballkanit. Sikurse theksova edhe dje, shumë e rëndësishme është që jo vetëm të mos harxhojmë energji për ide të vjetra të rindarjeve të kufijve dhe shkëmbimeve territoresh, por të punojmë për t’i hequr një herë e mirë kufijt në rajonin e Ballkanit, t’i bëjmë të bashkuar, të lidhim qytetarët e Ballkanit mes veti dhe me Evropën, të bashkuar, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike, religjioze apo kulturore. Unë besoj shumë tek kjo e ardhme e jona evropiane e vendeve tona, besoj se edhe këtu në Maqedoni po intensifikohet përpjekja për të gjetur zgjidhje për çështjet të cilat ende s’e kanë bërë të mundur që edhe Maqedonia të jetë anëtare e NATO-s, sikurse Shqipëria, si dhe për çeljen e negociatave me Bashkimin Evropian.”