Deputetja e Demokracisë së Re, Flora Kadriu, në një prononcim për gazetarët sot ka komentuar vërejtjet që ka shtruar ndaj Maqedonisë Këshilli për Stabilizim dhe Asocim pranë BE-së. Kuptohet se këto vërejtje janë vërejtje tejet serioze dhe Qeveria aktuale duhet ti kuptojë si të tilla.Në fakt mosarritja e realizimit të reformave, veçanërisht në pjesën e gjyqësorit, në pjesën e administratës publike e cila duhet të jetë e departizuar, në pjesën e të drejtave të njeriut, në pjesën e ngritjes së klimës së biznesit, por gjithashtu edhe të arritjes së dialogut politik kuptohet se janë procese të cilat për momentin pengojnë integrimin e Maqedonisë në strukturat euro-atlantike, por para së gjithash pengojnë edhe zhvillimin demokratik të shoqërisë. Nga këtu, Demokracia e Re konsideron se kjo Qeveri duhet të jetë e sinqertë dhe të dorëzojë mandatin e popullit, pra të jep dorëheqje, ngaqë të gjitha këto procese shkojnë në disfavorin e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë dhe të vet shtetit. Më tej, Kadriu ka vlerësuar si të rëndësishme konstatimet e Euro-komesarit për zgjerim Fyle, i cili ka ritheksuar nevojën për zgjidhje të kontestit rreth emrit me Greqinë si tanimë një çështje kruciale për anëtarsimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian dhe NATO. Sa i përket deklaratës së kryeparlamentarit Veljanovski se përgjegjësinë për mosarritjen e dialogut politik duhet ta ndajnë pushteti dhe opozita, Kadriu ka deklaruar se përgjegjësia i takon Qeverisë dhe shumicës parlamentare, pasiqë është Qeveria ajo që sjell vendime të dëmshme, propozon ligje në kundërshtim me Kushtetutën dhe standardet evropiane, ndërsa shumica parlamentare VMRO-DPMNE dhe BDI këto ligje i miraton dhe nga këtu bëhet bartëse kryesore e fajit për dështimin në zbatimin e tyre. Nga ana tjetër, qasja destruktive dhe nënçmuese ndaj opozitës në Parlament, mospërfillja e asnjë propozimi që buron nga deputetët opozitarë vetëm sa shtojnë përgjegjësinë e shumicës parlamentare për ngecjet në dialogun politik dhe në zbatimin e reformave të nevojshme në procesin e integrimeve në strukturat euro-atlantike.
|